Ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu, ka reaguar ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas deklaratës së tij së fundmi se Veliu e ka derën e hapur në parti.
Përmes një postimi në Facebook, Veliu e akuzoi Abdixhikun dhe Ekrem Hysenin për mospërfshirjen e tij në listën e kandidatëve për zgjedhjet e dhjetorit. Veliu theksoi se ai ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës jo për përfitime personale, por për parime dhe përgjegjësi ndaj mbështetësve të tij.
Sipas tij, deklaratat për një “derë të hapur” nuk ndryshojnë realitetin e vendimeve tashmë të marra. Ai argumentoi se, nëse dera do të ishte vërtetë e hapur, kjo do të pasqyrohej në procesin e vendimmarrjes, jo vetëm në fjalë.
Veliu theksoi se politika duhet të shërbejë qytetarëve dhe jo të jetë e mbyllur ndaj tyre, duke shtuar se do të vazhdojë të flasë hapur për të drejtat e anëtarëve dhe votuesve të LDK-së. Në përfundim, Veliu shprehu dëshirën e tij që LDK-ja të bekohet, duke kërkuar transparencë dhe përgjegjësi në proceset e brendshme të partisë.

Leave a Reply