A është Kosova pranë një raundi të ri zgjedhjesh?

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, në një intervistë për Ekonomia Online, ka deklaruar se presin vendimin e ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe theksoi rëndësinë e konstituimit të plotë të Kuvendit.

“Ne jemi duke pritur vendimin tjetër nga Gjykata Kushtetuese, i cili është shumë i rëndësishëm. Presim që të kthehemi në Kuvendin e Kosovës dhe të vazhdojmë me procesin e votimit, sepse Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet në tërësi. Nuk mund të themi me siguri se cili do të jetë vendimi përfundimtar, por ka shumë gjasa që do të duhet të votojmë përsëri në një pako për nënkryetarët e komuniteteve,” u shpreh Zogaj.

Zogaj gjithashtu vuri në dukje se ky vit ka qenë i humbur për vendin.

“Ka qenë një vit i vështirë, për t’u thënë të vërtetën, për vendin, si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik. Ky është një vit i humbur në tërësi, ndërsa tani po i afrohemi zgjedhjeve lokale. Ndërkohë, institucionet tona nuk janë ende të konstituuara. Ne presim që këto institucione të formohen sa më shpejt që të jetë e mundur, nëse ka rrethana për ta bërë këtë. Megjithatë, duket se është shumë e vështirë për shkak të mungesës së shumicës parlamentare. Ky problem është krijuar nga fituesi i zgjedhjeve për shkak të mungesës së shumicës politike në Kuvend,” tha ai.

Nëse nuk arrihet një zgjidhje, Zogaj sugjeron që partitë të diskutojnë për zgjedhje të reja.

“Nëse vazhdojmë dhe zgjedhim nënkryetarin e radhës, atëherë duhet të vazhdojmë me formimin e Qeverisë. Partitë politike duhet të ulen dhe të diskutojnë hapur për zgjedhjet e ardhshme, sepse kështu nuk ka kuptim të vazhdohet,” përfundoi Zogaj.

Nga ana tjetër, anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Haki Abazi, theksoi se çdo përpjekje për të ndikuar ose goditur Gjykatën Kushtetuese përbën një sulm ndaj Kushtetutës dhe pavarësisë së shtetit.

“Presim një respekt të plotë të Kushtetutës së Kosovës dhe asgjë më shumë. Nuk duhet të ketë ndikim politik mbi Gjykatën Kushtetuese. Nuk duhet të ketë kërcënime ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët janë zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës. Çdo tentativë për të goditur Gjykatën apo anëtarët e saj është një sulm ndaj Kushtetutës dhe pavarësisë së shtetit. Kjo nuk mund të lejohet dhe ne sigurisht që nuk do të bëjmë një gabim të tillë, sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen dhe nuk mund të interpretohen nga partitë politike,” tha Abazi.

Abazi shtoi se nuk pret formimin e qeverisë në këto rrethana.

“Jo, nuk pres, përveç nëse do të arrihet një shumicë nga partitë e tjera. Është e qartë se për më shumë se një vit, Kurti është i interesuar që të mos ketë një parlament mbi të cilin duhet të jepet llogari, dhe ai e di qartë se nuk mund të formojë qeveri. Ai është i identifikuar si tradhtar në marrëveshjet politike, dhe askush nuk dëshiron të ndjekë rrugën e tradhtisë politike që ai ka kaluar më parë. Është shumë e vështirë për LDK-në, PDK-në, dhe AAK-në të bëjnë gabime të njëjta nga e kaluara duke i besuar një personi të pabesueshëm. Rrjedhimisht, besoj se, duke mos qenë në gjendje të formojë qeveri, ai është i interesuar të sabotojë çdo mundësi për funksionimin e institucioneve. Jam i bindur se do të arrijmë në një pikë për zgjedhje të jashtëzakonshme,” theksoi ai.

Votimi i ndarë për kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga komunitetet pakicë më 5 shtator çoi në vendosjen e një mase të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese, ndalues për deputetët që të ndërmarrin veprime për formimin e qeverisë së re për shkak të dyshimeve për shkelje kushtetuese.

Lista Serbe u ankua në Gjykatën Kushtetuese për veprimin e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, i cili shpalli organin ligjvënës të konstituuar, pavarësisht moszgjedhjes së nënkryetarit nga minoriteti serb.

Gjykata ka sqaruar se vendimi i saj u mor ex officio dhe mbi bazën e kërkesës së deputetëve të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, për të evituar “rreziqe ose dëme të pariparueshme”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *