Një incident ajror ka ndodhur sot në Aeroportin “Sabiha Gökçen” të Stambollit, ku një aeroplan Boeing 737-800 i kompanisë AJet, që fluturonte nga Prishtina në Stamboll, ka dalë nga rruga e taksimit pas aterrimit.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Turqi njoftoi se avioni me numër fluturimi TKJ76Q / VF102 devijoi dhe u ndal në skajin e pistës. Fatmirësisht, të gjithë pasagjerët u evakuuan në mënyrë të sigurt pa pasur nevojë për përdorimin e rrëshqitësve emergjentë, dhe nuk pati persona të lënduar.
Pasagjerët më pas vazhduan udhëtimin drejt destinacioneve të tyre. AJet sqaroi se shiu i dendur ishte shkaku i daljes nga rruga, megjithëse aterrimi i avionit ishte kryer në mënyrë të rregullt.
Ambasada e Kosovës ka bërë thirrje që qytetarët të kontaktojnë për ndihmë në rast nevoje, duke ofruar numra telefoni dhe adresat e postës elektronike për kontakte të mëtejshme në Ankara dhe Stamboll.

Leave a Reply