Afati për dorëzimin e listave zgjedhore mbyllet më 7 dhjetor

Afati për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës mbyllet më 7 dhjetor, në orën 23:59.

Ky afat është theksuar nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, i cili shtoi se të gjitha listat duhet të jenë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. KQZ-ja, përmes zyrës së saj, do të dorëzojë kërkesa të veçanta për verifikimin e kandidatëve në disa institucione, për të siguruar që ata përmbushin kriteret ligjore.

Neni 30 përjashton kandidimin e individëve me pozita të caktuara publike ose atyre që kanë një dënim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në tre vitet e fundit. Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 28 dhjetor, ku në garë janë 24 subjekte, përfshirë Listën Serbe dhe Nismën, të cilat janë certifikuar pas plotësimit të dokumentacioneve të kërkuara.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *