Gruaja e Altin Sahitit, njeriut kryesor që Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit delegoi në Universitetin e Prishtinës, është punësuar në shtet përmes ndikimit të tij. Miranda Lutfiu Sahiti, megjithëse në kundërshtim me kërkesat e konkursit dhe pa vendim të vlefshëm për pezullim të studimeve, është angazhuar si specializante në Institutin e Shëndetit Publik përmes Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo është mbuluar me dokumente nga Universiteti i Prishtinës, drejtuar nga Arben Hajrullahu, ndërsa Altin Sahiti ishte në krye të Këshillit Drejtues. Insajderi ka siguruar komunikime që ngrenë dyshime për falsifikim dokumentesh.
Ai ka qenë njeriu kryesor në UP për katër vite. Është denoncuar në Prokurori për konsumim të veprës penale, por a është ndalur këtu?
Hulumtimi i Insajderit zbulon se gjatë periudhës sa Altin Sahiti ishte në Këshillin Drejtues të UP-së, bashkëshortja e tij, Miranda Lutfiu Sahiti, ka marrë dokumente nga UP që e ndihmuan për t’u punësuar në shtet.
Ajo u angazhua si specializante në IKSHKP përmes Ministrisë së Shëndetësisë. Gazeta Insajderi ka siguruar komunikime që dëshmojnë ndërhyrjen e Altin Sahitit për të rregulluar dokumentacionin e paplotë dhe të parregullt në lidhje me kërkesat e konkursit të Ministrisë së Shëndetësisë, për mos plotësimin e të cilave ishte refuzuar Miranda Lutfiu Sahiti, për t’u pranuar më pas përmes ankesës drejtuar Bordit Qendror për Shkollim Specialistik. Kjo ndodhi pasi ajo kishte ndërprerë studimet për dy vite, duke tejkaluar kohëzgjatjen e lejuar të studimeve, pa dokument që dëshmon se kjo ishte bërë ligjërisht.
Statuti i vjetër i UP-së përmban raste kur studenti humbet statusin, siç mund të kishte ndodhur me Miranda Lutfiu Sahiti, e cila nuk ka dëshmi për kërkesë dhe miratim të pezullimit të përkohshëm. Përjashtimi i vetëm është pika 5 e nenit 150, që lejon pezullim për arsye të caktuara si sëmundje e rëndë apo shtatzëni. Vendimin e merr dekani i njësisë akademike.
Sipas ankesës së deponuar në Ministrinë e Shëndetësisë, ajo pretendon në mos llogaritje të kohëzgjatjes së studimeve gjatë viteve 2017-2019. Insajderi nuk ka arritur të gjejë dëshmi për kërkesën dhe vendimin për pezullim të përkohshëm.
Ekziston vetëm një vërtetim për nevoja personale dhe aplikim për punësim, lëshuar më 25.07.2023, i nevojitur për ankesën ndaj vendimit për refuzimin e saj si specializante.
Hulumtimi tregon se Altin Sahiti ka qenë i përfshirë në këtë procedurë. Në një komunikim privat me një zyrtar të UP-së, ai përfshin dokumente dhe kërkon krijimin e një dokumenti jo ekzistent.
“Këtu Sekretari i FM ka përshkruar 2 vitet e suspendimit dhe është mirë rreth këtij Vërtetimi me e bë edhe vendimin, pra 2 vite me i rikthy 2 pikë”, i thotë Sahiti zyrtarit të UP-së.
Gazeta Insajderi ka pritur për ditë Sekretarin e Fakultetit Mjekësisë, z. Visar Muçaj, për të konfirmuar nëse ka pasur presion nga Sahiti. Z. Muçaj nuk është përgjigjur.
Altin Sahiti gjithashtu nuk ka dhënë përgjigje. Ndërsa IKSHKP-ja ka konfirmuar se Dr. Miranda Lutfiu Sahiti është në specializim nga Epidemiologjia bazuar në kontratën me Ministrinë e Shëndetësisë.
Në 20 mars 2025, Insajderi raportoi se Altin Sahiti ishte denoncuar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Denoncimi nga Besfort Krasniqi pretendonte se vendimi për lirimin e tij nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të UP-së ishte i padrejtë dhe legalizonte përmbajtje të rreme. Pas denoncimit, Altin Sahiti dha dorëheqje si kryetar i Këshillit Drejtues më 21 korrik 2025. Kjo dorëheqje ishte e dyshimtë, pasi ai njoftoi dorëheqjen e tij të parevokueshme, me efekt nga 1 tetori 2025, kur i skadon mandati edhe ashtu. /Gazeta Insajderi

Leave a Reply