Ahmeti kritikon qeverinë për fondet e papërdorura në bankë

Në një intervistë për “Përballje Podcast”, Shpend Ahmeti kritikoi menaxhimin aktual të buxhetit nga qeveria në detyrë, duke vënë në dukje se mbi 800 milionë euro janë të ngrira në Bankën Qendrore të Kosovës, në vend që të përdoren për investime publike.

Kjo situatë, sipas Ahmetit, po dëmton likuiditetin e bizneseve dhe ekonominë në përgjithësi. Ahmeti theksoi se mbajtja e këtyre fondeve jashtë qarkullimit po ndikon në rritjen e normave të interesit, duke vështirësuar marrjen e kredive për qytetarët dhe bizneset.

“Kur shteti mban paratë jashtë tregut, bankat kanë më pak depozita dhe duhet të rrisin normat e interesit për të kompensuar”, shpjegoi ai. Gjithashtu, Ahmeti përmendi se kërkesa për kredi është e lartë, por mungesa e likuiditetit ka bërë që bankat të rrisin kostot, duke përmendur shembuj të kredive investive me norma interesi prej 7 apo 7.5 për qind.

Ai kritikoi shpërndarjen e fondeve nga qeveria për konsum, siç janë ndihmat monetare për studentët, duke thënë se këto para nuk krijojnë zhvillim ekonomik. Ahmeti përfundoi duke nënvizuar se pa një qasje të qartë për zhvillim, Kosova rrezikon të ngecë ekonomikisht.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *