Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shprehur shqetësime lidhur me zhvillimet e fundit në Qendrën e Numërimit për zgjedhjet në Mitrovicë.
Ai theksoi se Kosova ka qenë e vlerësuar për organizimin e zgjedhjeve nga komuniteti ndërkombëtar, por incidentet në Mitrovicë kanë vënë në dyshim këtë reputacion. Sipas Ahmetit, një nga shtyllat e forta të zgjedhjeve në dekadën e fundit ka qenë besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor, duke marrë miratimin e miqve dhe rivalëve në rajon dhe më gjerë.
Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë vënë një pikëpyetje mbi procesin në Mitrovicë, duke e etiketuar atë si me “fusnotë”. Ahmeti nënvizoi rëndësinë e një hetimi të plotë dhe të pavarur për të sqaruar situatën, duke theksuar se kjo është thelbësore jo vetëm për rastin aktual, por edhe për të shmangur dyshime të ngjashme në të ardhmen.
Ai përfundoi duke thënë se demokracia duhet jo vetëm dashur, por edhe mbrojtur e ruajtur.

Leave a Reply