Aksident në autostradë, një viktimë e konfirmuar

Një aksident i rëndë ndodhi sot në mëngjes në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku u përplasën një veturë dhe një kamion.

Për pasojë, drejtuesja e veturës humbi jetën, ndërsa shoferi i kamionit mbeti i plagosur. Këto detaje u konfirmuan nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Ngjarja ndodhi rreth orës 07:40 në kilometrin e 26-të të autostradës. Fatkeqësia përfshiu një kamion me targa vendore dhe një veturë me targa të huaja.

Ekipi mjekësor, pasi mbërriti në vendngjarje, konstatoi vdekjen e gruas që drejtonte veturën. Përveç policisë, në vendngjarje u angazhuan edhe njësitë zjarrfikëse dhe ato përkatëse.

Policia e Kosovës bën thirrje për respektimin e rregullave të trafikut dhe për kujdes të shtuar nga të gjithë pjesëmarrësit në rrugë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *