Aksion në Veri – Zbulohet dhe konfiskohet arsenal armësh dhe municioni në një bodrum

Policia në Mitrovicën e Veriut, në bashkëpunim me zyrtarë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka ndërmarrë një operacion këtë të shtunë pranë sheshit “Car Lazar”, pas informacioneve se në një podrum të një ndërtese mund të gjendeshin objekte të kundërligjshme.

Gjatë kontrollit, njësitë policore kanë zbuluar dhe sekuestruar një pushkë automatike, një pushkë gjahu, 50 fishekë, një kondak pushke, një palë pranga, një mbajtës pushke, një maskë kundër helmeve me çantën përkatëse, një këllëf arme dhe pesë karikatorë të zbrazët.

Në lidhje me rastin është informuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar nisjen e hetimeve nën dyshimin për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Policia ka bërë të ditur se nga ky operacion nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet janë në zhvillim e sipër për të identifikuar individët përgjegjës dhe burimin e armëve të gjetura.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *