Albian Hajdari i bashkohet Kosovës: Një zemër e re në sulm dhe një mbrojtje e pakalueshme për Kombëtaren

Albian Hajdari është futbollisti më i ri që do të bashkohet me Kombëtaren e Kosovës. Ai do të jetë pjesë e grumbullimit gjatë muajit tetor, kur Dardanët përballen me Slloveninë dhe Suedinë.

Ky qendërmbrojtës i ri nga Kosova ka vendosur të përfaqësojë Kosovën, duke u larguar nga Kombëtarja A e Zvicrës, me të cilën ka luajtur një ndeshje miqësore.

Fillimisht, lajmi u bë i ditur nga mediumi zviceran Blick për zgjedhjen e Hajdarit, ndërsa tashmë Federata e Futbollit të Kosovës ka konfirmuar ardhjen e tij.

“Kombëtarja e Kosovës ka fituar një zemër të re në fushë dhe një muri të ri në mbrojtje. Qendërmbrojtësi i talentuar i Hoffenheim-it, Albian Hajdari, ka marrë vendimin e madh për t’u bashkuar me fanellën dardane. Albiani iu bashkua rrënjëve të tij, duke u kthyer në shtëpinë e tij, Kosovën. Hajdari, i rritur në futbollin zviceran e me një karrierë premtuese në Bundesligë, tani ka zgjedhur që të shkruajë historinë e tij me fanellën dardane. Vendimi i tij është një mesazh i qartë: Kosova është foleja e ngrohtë dhe zemra gjithmonë rreh më fort për atdheun. Mirë se vjen, Albian! Kosova është më e fortë me ty!”, thuhet në njoftim.

Në fund, udhëheqësi i futbollit kosovar theksoi se prurjet në Kosovë do të vazhdojnë çdo muaj.

“Fatmirësisht kemi talente të mëdha nëpër gjithë Evropën. Jo vetëm Leoni e Albiani, por prurjet do të vazhdojnë çdo muaj te Kombëtarja A e Kosovës. Gjatë gjithë kohës kemi prurje të reja jo vetëm te Kombëtarja A, por edhe te grupmoshat dhe Kombëtarja e femrave. Kosova është në rrugën e duhur dhe urojmë që këta futbollistë të talentuar të shkëlqejnë me Kombëtaren tonë edhe në ndonjë Kampionat Botërorë ose Evropian”, përfundoi Ademi./Telegrafi/


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *