Ambasadori palestinez në Shqipëri, Sami Mhanna, ka deklaruar se Palestina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për shkak të hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, që shihet si shkelje e të drejtës ndërkombëtare.
Gjatë një interviste për TopChannel, Mhanna shpjegoi se Jerusalemi është një territor i pushtuar dhe sipas ligjeve ndërkombëtare, nuk është e lejueshme të hapet ambasadë atje. Kjo çështje është diskutuar edhe me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Megjithatë, Mhanna theksoi se nuk mund të përjashtohet mundësia që Palestina të ndryshojë qëndrim në të ardhmen. Ai sqaroi se palestinezët dhe qeveria e tyre nuk kanë asgjë kundër Kosovës dhe popullit të saj.
Ambasadori gjithashtu përmendi se ai dhe homologu i tij kosovar në Tiranë ruajnë marrëdhënie të mira. Duke iu referuar deklaratave të pretenduara të presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, Mhanna argumentoi se raportimet që lidhnin qëndrimin e Palestinës me Serbinë ishin të pasakta.
Për sa i përket vizitave në Kosovë, Mhanna shprehu dëshirën për ta vizituar në të ardhmen, duke kujtuar se kishte kaluar përmes saj kur u emërua ambasador në Shqipëri.

Leave a Reply