Armatimi i Kosovës: Nga cilat shtete janë blerë dronët dhe automjetet e blinduara vitet e fundit?

Forca e Sigurisë së Kosovës është në fazën e transformimit në një ushtri të plotë.

Kjo nismë filloi në vitin 2018 pas miratimit të ndryshimeve ligjore dhe pritet të zgjasë për një dekadë.

Kosova, me një popullsi prej 1.5 milion banorësh, synon të ketë mbi 7.500 ushtarë aktivë dhe rezervistë, dhe një forcë policore prej rreth 9.000 pjesëtarësh.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur këtë transformim që nga fillimi, ndërsa NATO-ja ka mbetur në qëndrimin që FSK-ja duhet të ruajë misionet e saj fillestare, si reagimi ndaj krizave dhe mbrojtja civile.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se “të gjitha armët e blera nga Kosova gjatë katër viteve të fundit përmbushin standardet e NATO-s. Këto armë janë kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, Turqia, Gjermania dhe vende të tjera”.

Zëdhënësja Liridona Gashi nuk ka zbuluar shumën e shpenzuar këtë vit për armatime, por thekson se kjo qeveri ka investuar “shumëfish më shumë” se paraardhëset.

Në shtator, FSK-ja mori dronë të modelit RQ-20 Puma LE nga Shtetet e Bashkuara.

Në gusht, FSK-ja u pajis me automjete të blinduara nga Shtetet e Bashkuara.

Vitin e kaluar, Kosova bëri kërkesë për blerjen e 200 raketave antitank, Javelin, dhe është në proces të pagesës.

Në vitin 2023, Kosova bleu një flotë dronësh turq, Bayraktar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Kosova bleu dronë Bayraktar në vitin 2023.

Në vitin 2018, automjete ushtarake të tipit Humvee mbërritën në Kosovë nga SHBA-ja. Qeveria e Kosovës nënshkroi një kontratë me kompaninë amerikane AM General për blerjen e 51 automjeteve.

Dy vjet më vonë, Kosova bleu automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërsa në vitin 2021, SHBA-ja i dhuroi Kosovës 55 automjete ASV.

Qeveria e Kosovës ka rritur buxhetin për mbrojtjen – këtë vit ai arriti në 207.8 milionë euro.

FSK-ja kryen stërvitje të vazhdueshme në bazat amerikane dhe evropiane dhe merr pjesë në ushtrime shumëkombëshe si “Defender Europe”.

Në fund të vitit të kaluar, Kosova nënshkroi një marrëveshje me Turqinë për të ndërtuar fabrikën e saj të parë të municioneve.

Gashi nga Ministria e Mbrojtjes tha se pritet që fabrika të funksionojë “brenda dy vjetësh”. Ndërsa për bashkëpunimin ushtarak të shpallur në mars mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, Gashi njoftoi se “po përpilohet plani i përbashkët i aktiviteteve”.

Por rruga e Kosovës drejt NATO-s mbetet e gjatë, pasi katër vende të aleancës nuk e njohin shtetësinë e saj.

Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu, sugjeron krijimin e kapaciteteve të përbashkëta ushtarake.

“E vetmja mënyrë për t’i bërë ballë këtij lloj agresioni politik të Serbisë në bashkëpunim me Kinën dhe Rusinë, është t’i ndërtojmë tri elemente të rëndësishme: një deterrancë ushtarake të vendeve të NATO-s në rajonin e Ballkanit, një deterrancë politike për një analizë të përbashkët të çështjeve të sigurisë dhe një deterrancë ekonomike. Këto janë të lidhura me njëra-tjetrën”.

Duke iu referuar përvojës së vendeve baltike, Mediu e vlerëson nismën e Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë për bashkëpunim në mbrojtje, me shpresën që ajo të ngrihet në një nivel më të avancuar.

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, e cila organizoi ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, njoftoi se në shtator të vitit 2025, udhëzuesi, i cili është në fazat e fundit të zhvillimit, do t’u paraqitet ministrive të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë për miratim.

Deklarata e nënshkruar nga ministri i Mbrojtjes në detyrë i Kosovës, Ejup Maqedonci, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, përcaktoi katër pika bashkëpunimi:

Promovimi i aftësive mbrojtëse dhe bashkëpunimit në industritë përkatëse;

Rritja e ndërveprimit përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve ushtarake;

Reagimi ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimi i qëndrueshmërisë;

Mbështetja e plotë për integrimin euroatlantik.

Blerja e kapaciteteve mbrojtëse është detyrimi i parë nga deklarata. Sipas Maqedoncit, qëllimi është të bëhet një porosi e vetme, në vend të tri porosive të ndara nga secili vend.

“Për shembull, për një sistem [armësh], për të cilin jemi të interesuar të tria shtetet që ta blejmë nga SHBA-ja, ta bëjmë porosinë si një blerje, duke shfrytëzuar legjislaturën e secilit vend, por që sasia dhe koha e liferimit të determinohet si e përbashkët, sepse prej SHBA-së kur blen më shumë, kushton më lirë dhe vjen më shpejt”, ka deklaruar Ejup Maqedonci, ministër në detyrë i Mbrojtjes në Kosovë./REL


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *