Arrestohen dy të rinj në Prizren për trafik droge

Hetuesit e Njësisë për Hetimin e Narkotikëve në Prizren kanë kryer me sukses një operacion, duke arrestuar dy të rinj të dyshuar për tregti dhe shpërndarje droge.

Më 2 nëntor 2025, në rrugën “Ibrahim Rugova”, rreth orës 21:40, u ndaluan Hadis Berisha dhe Lendrit Gashi, të dy 20 vjeç, pas një vëzhgimi të gjatë për aktivitet të dyshuar narkotik. Gjatë kontrollit fillestar, u gjet marihuanë dhe pranë vendit të ndalimit, një veturë VW Caddy me targa vendore.

Me urdhër të prokurorit të krimeve të rënda, u kryen kontrolle në dy lokacione në Prizren, përfshirë banesat e tyre. Si prova materiale u sekuestruan 51.57 gramë marihuanë, një peshore digjitale, 180 qese plastike, vetura, 45 euro dhe dy telefona celularë.

Pas intervistimit me praninë e avokatit, ndaj të dyshuarve u vendos ndalim 48-orësh, nën dyshimin për veprën penale të shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve, sipas nenit 267 të Kodit Penal të Kosovës. Hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *