Fatmir Sheholli, ish-pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë gjatë viteve ’90, është arrestuar në Prishtinë nën akuzën për spiunazh.
Arrestimi është kryer nga Prokuroria Speciale me ndihmën e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, sipas një deklarate zyrtare. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, konfirmoi lajmin duke theksuar se Policia e Kosovës ka vepruar në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përkatëse për këtë arrestim.
Sveçla kërkoi trajtim serioz të rastit, duke e cilësuar atë si kërcënim për sigurinë dhe rendin kushtetues. Fatmir Sheholli, i njohur si përfaqësues i shoqërisë civile nga Instituti për Avancimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, ka qenë subjekt i spekulimeve për lidhje me Serbinë, të cilat ai i ka mohuar.
Në një intervistë të vitit 1999, ai kishte pretenduar se babai i tij, Maliq Sheholli, u vra nga UÇK-ja për shkak të mbështetjes së tij për Jugosllavinë. Megjithatë, ai më vonë deklaroi se UÇK-ja nuk është përgjegjëse për vrasjen.
Babai i tij u vra në vitin 1998, dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës e mori përgjegjësinë përmes një komunikate zyrtare.

Leave a Reply