Austria dhe Sllovenia mbështesin integrimin e Kosovës në BE

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, u takua sot me ministren austriake për Evropë, Integrim dhe Familje, Claudia Plakolm, dhe sekretaren sllovene për Çështje Evropiane, Neva Grašič.

Diskutimet u përqendruan në procesin e integrimit evropian të Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe dialogun me Serbinë, si dhe në çështjet e sigurisë rajonale. Gjatë takimit, palët nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë rajonal dhe mbështetjen e vazhdueshme që Austria dhe Sllovenia i japin Kosovës për integrimin në Bashkimin Evropian.

Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohje për mbështetjen e dy vendeve, duke theksuar përparimin e bërë nga Kosova, përfshirë rritjen ekonomike më të lartë në rajon, uljen e papunësisë në 10.9% dhe përmirësimet në fushën sociale. Gjithashtu, Bislimi theksoi se këto arritje, së bashku me avancimin në liberalizimin e vizave dhe aplikimin për anëtarësim në BE, tregojnë gatishmërinë e Kosovës për të fituar statusin e vendit kandidat.

Në fund, u trajtua Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Procesi i Berlinit dhe zgjerimi i BE-së, përfshirë nevojën për heqjen e masave të BE-së kundër Kosovës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *