Avokati Cakrani sulmohet në një pikë karburanti nga dy persona

Kujtim Cakrani, avokati i njohur nga Vlora dhe mbrojtësi ligjor i ish-presidentit Ilir Meta, u sulmua fizikisht sot në një pikë karburanti në Vlorë rreth orës 13:30.

Sipas tij, dy individë të panjohur e sulmuan gjatë kohës që po furnizohej me karburant. Fillimisht, ata e ofenduan dhe dyshohet se konflikti nisi për një mosmarrëveshje parkimi, megjithatë Cakrani mendon se shkaqet e vërteta janë të tjera.

Gjatë incidentit, ai u godit në pjesën e pasme të kokës me një mjet prerës, duke pësuar dëmtime të rënda. Aktualisht, ai po trajtohet në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku është në gjendje të rëndë në reanimacion.

Burime spitalore konfirmojnë se avokati ka dëmtime serioze në kokë dhe nuk është në gjendje të qëndrojë në këmbë. Policia dhe ekspertët mjeko-ligjorë priten të marrin dëshminë e tij, ndërsa po zhvillohen hetime për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Cakrani deklaroi se nuk i njeh autorët, të cilët ishin të rinj dhe e provokuan para se ta sulmonin fizikisht.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *