Avokati i Thaçit: Albright do ishte dëshmitare e shkëlqyer

Dëgjimi i dëshmitarëve mbrojtës në procesin kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Hagë ka përfunduar.

Avokati i Thaçit, Pierre Richard Prosper, deklaroi se do të dëshironte të kishte përfshirë më shumë individë në listën e dëshmitarëve, por disa prej tyre kanë ndërruar jetë. Ai përmendi ish-Sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, si një dëshmitare që do të kishte qenë e shkëlqyer.

Prosper theksoi se kishte shumë persona që mund të ftoheshin, duke përmendur edhe ish-ministrin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Robin Cook, dhe Mike Jackson. Sipas tij, u desh të merrej një vendim për të zgjedhur dëshmitarët dhe koha e kufizuar ishte një faktor i rëndësishëm.

Prosper sqaroi se nuk kishte mundësi të fliste me Albright për çështjen, por besonte se pikëpamjet e saj për Kosovën dhe tribunalet ndërkombëtare ishin të qarta. Ai gjithashtu përmendi se Albright, sipas tij, do të kishte mbështetur qëndrimin se Thaçi nuk kishte komandë dhe kontroll mbi individë të UÇK-së, duke pohuar se ai nuk duhet të ishte në gjyq sot.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *