Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka theksuar në Bruksel se Serbia ka përmbushur kriteret teknike për hapjen e grupit të tretë të kapitujve negociues.
Megjithatë, avancimi drejt Bashkimit Evropian mbetet i varur nga përmbushja e detyrimeve politike, ndër të cilat është zgjidhja e rastit “Banjska”. Gjatë një takimi me gazetarët në Forumin e Zgjerimit të BE-së, Kos nënvizoi rëndësinë e zbatimit të detyrimeve të mbetura, duke përmendur se miratimi i ligjeve për median dhe reformat në REM janë thelbësore.
Ajo kritikoi politikën e dyfishtë të Serbisë në raport me Rusinë dhe BE-në, duke e quajtur të papranueshme pjesëmarrjen në stërvitjet ushtarake ruse dhe dhënien e shtetësisë për rusët e sanksionuar. Kos theksoi domosdoshmërinë e ndërprerjes së retorikës anti-evropiane dhe rikthimit të besimit të qytetarëve në integrimin evropian.
Lidhur me krizën energjetike, ajo siguroi se BE është gati të ndihmojë Serbinë, por theksoi se varësia nga Rusia duhet të marrë fund. Ajo përfundoi duke nënvizuar se zgjerimi synon të ruajë paqen dhe që BE duhet të forcohet me anëtarë të rinj.

Leave a Reply