Komisioni Evropian pritet të japë së shpejti pagesën e parë për Serbinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, sipas burimeve të Radio Evropa e Lirë.
Serbia ka përfituar më parë parafinancime dhe tani do të marrë 61 milionë euro si kësti i parë i rregullt. Fillimisht, ishte parashikuar që Serbia të merrte 112 milionë euro, por ky shifër është reduktuar pasi Beogradi ka përmbushur vetëm tri nga shtatë reformat e kërkuara.
Pjesa tjetër e shumës do të shpërndahet pasi Serbia të përmbushë plotësisht reformat e mbetura. Ndërkohë, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë marrë tashmë pjesën e tyre nga ky plan, ndërsa Kosova dhe Bosnja e Hercegovina ende nuk kanë përfituar.
Mjetet për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të shpërndahen në bazë të popullsisë dhe prodhimit të brendshëm bruto, me një total prej 6 miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian. Plani parashikon që të gjitha projektet të përfundojnë brenda vitit 2027.

Leave a Reply