Kandidatja e PSD-së për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini, ka shprehur shqetësimin për vështirësitë që përballen qytetarët, veçanërisht çiftet e reja, në gjetjen e banesave në kryeqytet.
Gjatë një interviste në emisionin Pressing në T7, ajo theksoi se çmimet e larta të qirave dhe blerjes së banesave e kanë bërë Prishtinën një qytet “të paarritshëm”.
Sipas Shahinit, një pjesë e madhe e ndërtimeve të reja nuk janë konceptuar për banim, por janë blerë për qëllime investimi.
“Me çmimet e qirasë dhe blerjes është qytet i paarritshëm. Banesat që janë ndërtuar janë blerë si investim më shumë se sa për me jetu në to.
Nëse banorët e Prishtinës, apo çiftet e reja nuk mund të zgjidhin çështjen e banimit, atëherë këtu kemi një problem; kemi 1/3 e të gjitha banesave që janë plotësisht të zbrazëta, ndërsa njerëz që kanë nevojë për banim nuk mund ta përballojnë çmimet”, theksoi Shahini.
Ajo shtoi se, edhe pse kostot e ndërtimit janë rritur vitet e fundit, fitimet e kompanive ndërtimore janë dyfishuar. Për Shahinin, kjo situatë është alarmante jo vetëm nga aspekti ekonomik, por edhe nga ai urbanistik.
“Është e vërtetë që ka pasur rritje të kostove të ndërtimit, por fitimi i kompanive ndërtimore është dyfishuar. Kjo përbën një problem edhe nga aspekti urbanistik, edhe në zgjidhjen e çështjes së banimit”, tha ajo.

Leave a Reply