Në shpatet e largëta të Tibetit, në malin Everest, po zhvillohen operacione të mëdha shpëtimi pas një stuhie dëbore që ka bllokuar rreth 1,000 persona në kampet në anën lindore të malit, raportojnë mediat kineze.
Ekipet e shpëtimit dhe banorët lokalë po punojnë intensivisht për të hapur rrugët e bllokuara nga dëbora, në një lartësi mbi 4,900 metra. Deri tani, rreth 350 individë janë shpëtuar dhe janë dërguar në siguri tek qyteti Qudang, sipas Reuters.
Stuhia nisi të premten në mbrëmje, duke përkeqësuar kushtet në zonën e njohur për alpinistët dhe turistët malorë. Një anëtar i një grupi ecjeje, Chen Geshuang, tha se kushtet e motit ishin të pazakonta dhe papritmas të vështira këtë vit.
Ekipi i shpëtimit “Qielli Blu” i Tibetit mori thirrje për ndihmë, pasi çadrat u shembën nën peshën e dëborës, dhe disa alpinistë filluan të përjetojnë hipotermi. Për shkak të motit të keq, autoritetet e qarkut Tingri kanë pezulluar hyrjen në Zonën Turistike të Everestit.
Ndërkohë, në Kinë, tajfuni Matmo ka detyruar evakuimin e 150,000 personave.

Leave a Reply