Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka bërë një thirrje për kujdes ndaj një fushate mashtrimi që është përhapur përmes mesazheve SMS, e cila ka për qëllim vjedhjen e të dhënave financiare të qytetarëve.
Këto mesazhe paraqiten si njoftime urgjente nga banka komerciale dhe përfshijnë lidhje të dyshimta që mund të çojnë në keqpërdorim të të dhënave bankare. BQK rekomandon qytetarët të mbrojnë informacionet e kartelave bankare dhe të mos i ndajnë ato me individë të paautorizuar përmes e-mailit, SMS-it apo telefonit.
Po ashtu, këshillohet që të mos hapen lidhje të panjohura dhe të mos kryhen transaksione përmes tyre. Gjithashtu, BQK inkurajon aktivizimin e njoftimeve për çdo transaksion dhe kontrollin e rregullt të historisë së pagesave.
Në rast se dikush merr një mesazh të dyshimtë, duhet të kontaktojë menjëherë bankën ose institucionin financiar përkatës. Apeli i BQK-së është i qartë: “Mos u mashtroni dhe tregoni kujdes për sigurinë tuaj online”.

Leave a Reply