Cakolli: Deputetët me vota të tepërta të refuzojnë mandatin

Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit dhe procesit të rinumërimit të votave, u zbuluan parregullsi të shumta, me disa kandidatë që përfituan vota shtesë, ndërsa të tjerëve iu hoqën ato.

Megjithatë, asnjë nga deputetët që përfituan nga votat e shtuar nuk ka dhënë dorëheqjen. Shoqëria Civile sugjeron se largimi i tyre nga Kuvendi mund të realizohet edhe nga vetë partitë.

Eugen Cakolli, në një deklaratë për Gazeta Metro, theksoi rëndësinë e integritetit moral, duke sugjeruar që kandidatët e përfshirë në parregullsi të largohen vetë derisa të sqarohen situatat. Ai shtoi se, për të mbrojtur besimin e publikut, partitë duhet të veprojnë në përputhje me parimet e integritetit zgjedhor.

Ndërkohë, hetimet për manipulimet e votave kanë çuar në ndalimin dhe arrestimin e shumë komisionerëve dhe kryetarëve të qendrave të numërimit në disa komuna. Në Prizren, mbi 100 persona janë ndaluar, 23 prej të cilëve janë në paraburgim.

Në Mitrovicë, janë ndaluar 34 individë dhe për 10 të tjerë është kërkuar paraburgim. Në Malishevë, 15 kryetarë komisionesh janë vendosur në paraburgim.

Hetimet vazhdojnë dhe numri i të ndaluarve mund të rritet.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *