Eugen Cakolli nga KDI ka analizuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ai e vlerëson këtë aktgjykim si një hap që ndihmon në sqarimin e procedurave, por që ende lë vend për interpretime të ndryshme. Pas vendimit, është e qartë se seanca konstituive duhet të vazhdojë brenda 48 orëve dhe Kuvendi nuk mund të formohet pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve, pasi kjo është kërkesë kushtetuese.
Cakolli shpreh shqetësimin se çështja tani është se kush mund ta bllokojë procesin e konstituimit – shumica shqiptare apo komunitetet tjera. Ai shpjegon se Lista Serbe ka të drejtën të propozojë sërish të gjithë deputetët e saj për postin e nënkryetarit.
Në rast se asnjëri prej tyre nuk merr shumicën e votave, mund të propozohet edhe deputeti Nenad Rashiq. Nëse Lista Serbe refuzon, Kryetari i Kuvendit mund të përdorë shortin, një procedurë e cila nuk është kundërkushtetuese.
Nëse edhe pas shortit nuk arrihet zgjedhja, përgjegjësia bie mbi shumicën shqiptare, pasi komuniteti serb do të ketë shfrytëzuar të drejtën e vet deri në fund. Në këtë skenar, zgjedhjet e reja do të ishin zgjidhja e vetme.
Megjithatë, ekziston një përjashtim që lejon funksionimin e Kuvendit pa një ose dy anëtarë të Kryesisë, por vetëm kur komuniteti serb vetë e pengon procesin. Cakolli vë në dukje se komuniteti serb ka një formë vetoje, por ajo varet nga vullneti politik i shumicës për të respektuar Kushtetutën.

Leave a Reply