Gjatë dëshmisë së tij në gjykimin kundër Hashim Thaçit në Hagë, diplomati amerikan Christopher Hill përshkroi sfidat që kishte hasur për të kuptuar strukturën organizative të UÇK-së.
Hill shpjegoi se përmbajtja dhe burimi i komunikatave të UÇK-së ishin të paqarta dhe se ato nuk mund të përdoren për të përcaktuar një strukturë të qartë vertikale të organizatës. Hill foli gjithashtu për rolin e Jakup Krasniqit si zëdhënës i UÇK-së dhe për ndikimin e marrëveshjes së Rambujesë, e cila, sipas tij, përgënjeshtroi pretendimet e Sllobodan Millosheviqit se shqiptarët nuk do të pranonin asnjë marrëveshje.
Ai theksoi se pranimi i marrëveshjes nga pala shqiptare ishte një mesazh i qartë kundër Millosheviqit. Në lidhje me ngritjen e Thaçit nga student në lider të UÇK-së, Hill tha se Thaçi ishte një bashkëbisedues i besueshëm, por jo një vendimmarrës i vetëm.
Ai theksoi se nuk kishte prova që Thaçi kishte urdhëruar aktivitete të paligjshme dhe se pretendimet për një strukturë ushtarake të mirëorganizuar të UÇK-së ishin të pavërteta. Thaçi dhe tre të tjerë janë në paraburgim prej pesë vitesh, nën akuza për krime lufte.

Leave a Reply