Çitaku kritikon qeverinë Kurti: Pesë vite të dobësimit të lidhjeve me SHBA-në

Vlora Çitaku, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në emisionin Five në RTV Dukagjini, ka diskutuar mbi marrëdhëniet e administratës amerikane me Kosovën.

Ajo ka deklaruar se, për fat të keq, lidhjet mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës kanë arritur në nivelin më të ulët të mundshëm dhe për PDK-në kjo situatë është e papranueshme.

“Çka po shohim tani me suspendimin e dialogut strategjik mes Kosovës dhe SHBA-ve është vetëm formalizim i relacionit që ka ekzistuar tash e pesë vite, prej kur z. Kurti dhe partia e tij udhëheqin me institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Çitaku ka theksuar më tej se kjo situatë nuk është e re dhe nuk është vetëm rezultat i natyrës së marrëdhënieve mes Kurtit dhe kësaj administrate.

“Ngjashëm e kemi pasur edhe me administratën e presidentit Biden, ku kujtoj këtu suspendimin e vizitave për ministrat e qeverisë Kurti, një varg hapash që ishin ndërmarrë edhe atëherë për suspendimin e programeve të ndryshme, përjashtimin e FSK-së nga ushtrimi i përbashkët me NATO-n dhe të tjera”.

“Kjo çfarë po shohim sot është vetëm formalizim i një raporti të ftohtë dhe me shumë tensione mes Kosovës dhe SHBA-ve”, ka thënë ajo.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *