Rritja e importit të energjisë elektrike dhe ulja e prodhimit vendor kanë krijuar pasiguri në sektorin energjetik të vendit, sipas ekspertëve të kësaj fushe.
Sipas të dhënave zyrtare, importi është rritur me 48% gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke nxitur diskutime mbi transparencën e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe mundësinë e rritjes së tarifave. Adhurim Haxhimusa, një njohës i fushës, thekson se importet janë katërfishuar gjatë pesë viteve të fundit.
Ai shtoi se në tremujorin e parë të 2025, janë importuar rreth 125 milionë euro energji, krahasuar me 45 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2024. ZRRE ka njoftuar se shqyrtimi i tarifave të reja për vitin 2026 do të nisë në fund të këtij muaji dhe të zgjasë deri në fund të marsit të vitit 2026, por nuk ka dhënë detaje për ndryshimet e mundshme të tarifave.
Rritja e importeve ka sjellë edhe dominimin e një kompanie në treg, duke shkaktuar debate dhe akuza politike. Sipas Haxhimusës, mungesa e transparencës nga ZRRE shkakton pasiguri, veçanërisht me mospublikimin e Planit Vjetor për Energji për vitin 2025, i cili ende nuk është bërë publik pavarësisht miratimit.

Leave a Reply