Covey vijon dëshminë në gjyqin kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në seancën e sotme, dëshminë po e vazhdon dëshmitari amerikan Jock Covey, i cili ka shërbyer si zëvendës i përfaqësuesit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë gjatë viteve 1999-2001, pranë Bernard Kouchner.

Të martën, dëshmitari u pyet nga mbrojtja e Hashim Thaçit, përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq. Pas përfundimit të pyetjeve nga mbrojtja e Thaçit, tri ekipet tjera mbrojtëse njoftuan se nuk kanë pyetje për dëshmitarin.

Gjatë dëshmisë së tij, Covey theksoi se UÇK-ja ishte më tepër një lëvizje sesa një ushtri e mirëorganizuar, me komandantë në terren që gëzonin autonomi të gjerë dhe vepronin sipas vendimeve të tyre lokale.

“Ata mendonin që mund të bënin atë që vendosnin të bënin në zonën e tyre. Kjo ishte mënyra se si e kemi kuptuar ne”, deklaroi Covey.

I pyetur për rolin e Hashim Thaçit, Covey tha se UNMIK asnjëherë nuk e ka trajtuar atë si komandant të UÇK-së dhe se ai nuk jepte urdhra.

Në seancë u shfaq edhe një dokument i nënshkruar nga Thaçi si “komandant i përgjithshëm i UÇK-së”, dërguar Kouchnerit në kuadër të marrëveshjes së çarmatosjes, ku kërkohej leje që disa pjesëtarë të UÇK-së të mbanin armë brezi.

Sidoqoftë, Covey sqaroi se ky gjest u interpretua si përpjekje për të shërbyer një interes tjetër dhe jo si shenjë e ndonjë autoriteti ushtarak real. Ai shtoi se për këtë kërkesë nuk ka pasur përgjigje nga UNMIK-u, pasi çështja binte nën kompetencën e KFOR-it.

Covey foli gjithashtu për përpjekjet për integrimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së në Policinë e Kosovës, si dhe për sfidat në bindjen e elementëve më radikalë brenda UÇK-së që të angazhoheshin në strukturat e reja të sigurisë. Ai tha se nuk ka pasur një pasqyrë të qartë të strukturës komanduese të UÇK-së, dhe se në terren ekzistonte një larmi komandantësh me lidhje të ndryshme dhe të paqarta hierarkike.

Dëshmitari përshkroi marrëdhënien e Thaçit me komandantët e zonave si të ndërlikuar dhe me rezerva reciproke. Ai tha se gjatë një takimi në shtator të vitit 1999, ku Bernard Kouchner kishte shkuar për të bindur komandantët për demilitarizim, Thaçi nuk kishte folur fare dhe se nuk kishte respekt të dukshëm ndaj tij nga komandantët lokalë.

Sipas avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmia e Covey-it konfirmon se Thaçi nuk kishte autoritet real mbi UÇK-në dhe nuk ishte në pozitë për të organizuar apo ndalur ndonjë akt dhune gjatë verës së vitit 1999./rtk


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *