Ndeshja mes Real Madridit dhe Barcelonës në “Santiago Bernabeu” u mbyll me momente tensioni, pas një përplasjeje mes lojtarëve.
Tensionet nisën kur kapiteni i Real Madridit, Dani Carvajal, iu drejtua Lamine Yamalit për të diskutuar mbi komentet e tij para ndeshjes, që kishin acaruar madrilenët. Carvajal, i cili ndan kombëtaren spanjolle me Yamal, harroi për një moment lidhjet e tyre ndërkombëtare dhe e thirri Yamal me një gjest që të fliste.
Në këtë situatë u përfshinë edhe Thibaut Courtois dhe Vinicius Junior, të cilët iu bashkuan Carvajal për ta përballur lojtarin e Barcelonës. Kjo shkaktoi ndërhyrjen e lojtarëve të tjerë të Barcelonës për të mbrojtur shokun e tyre, duke shkaktuar një kaos me shtytje dhe britma nga të dyja palët.
Edhe pse nuk pati dhunë fizike, tensionet ishin të dukshme në pamjet e transmetuara nga DAZN. Ndërkohë, disa lojtarë të tjerë si Rüdiger, Alaba dhe Raphinha u përpoqën të ndanin grupet.
Ky incident pritet të përfshihet në raportin zyrtar të gjyqtarëve, ndërkohë që federata spanjolle do të shqyrtojë ngjarjen.

Leave a Reply