Denim i përjetshëm për vëllain e Besar Nimanit, motra 5 vite burg

Gjykata e Landit në Bielefeld ka dhënë dënime të ashpra ndaj familjarëve të boksierit të ndjerë, Besar Nimani.

Vëllai i tij, Berati, është dënuar me burgim të përjetshëm për tentativë vrasjeje dhe sulm të rëndë, ndërsa motra e tij është dënuar me pesë vjet burgim. Berat Nimani u shpall fajtor pasi kishte qëlluar mbi anëtarët e familjes së personit që vrau vëllain e tij.

Gjykata vuri në dukje “përbuzjen e thellë” që ai kishte ndaj tyre, e cila ishte evidente edhe në letrat e tij nga burgu. Dënimi ishte më i rëndë se sa kërkonte prokuroria, e cila kishte kërkuar 12 vjet burg për Beratin.

Motra e tij gjithashtu u shpall fajtore dhe mori pesë vjet burg. Konflikti mes dy familjeve, shqiptare dhe kurde, kishte vite që zgjaste dhe dyshohej se lidhej me trafik droge.

Tensionet u intensifikuan në mars 2024, kur Besar Nimani u qëllua për vdekje në Bielefeld. Seanca finale nisi me vonesë për shkak të mocioneve të mbrojtjes, që synonin të rrëzonin akuzat, por u hodhën poshtë nga gjykata.

Atmosfera në sallë ishte e tensionuar, me familjarët e të pandehurve që reaguan emocionalisht ndaj vendimit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *