Në prag të balotazhit të së dielës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar udhëzime të qarta për votimin me asistencë, duke synuar të ndihmojë qytetarët me paaftësi fizike ose verbëri në ushtrimin e të drejtës së tyre për të votuar.
Sipas këtyre rregullave, vetëm individët që nuk mund të votojnë vetë për shkak të kufizimeve fizike mund të kërkojnë asistencë. Çdo abuzim me këtë procedurë konsiderohet shkelje ligjore dhe mund të ndëshkohet penalisht.
Votuesit që kanë nevojë për ndihmë duhet të zgjedhin vetë personin që i asiston, i cili duhet të jetë votues në të njëjtën komunë. Një asistent mund të ndihmojë vetëm një votues gjatë ditës së zgjedhjeve.
Anëtarët e Këshillit të Vendvotimit, vëzhguesit dhe policia nuk mund të jenë asistentë. Emrat dhe të dhënat e asistentëve regjistrohen për të siguruar transparencë dhe për të shmangur keqpërdorimet.
Analfabetët që janë fizikisht të aftë të votojnë vetë nuk kanë të drejtë për asistencë, për të ruajtur sekretin dhe lirinë e votës. Ligjet e Kosovës parashikojnë ndëshkime për çdo manipulim të mundshëm të votës përmes asistencës.
Këto masa synojnë të mbrojnë integritetin e procesit zgjedhor dhe të sigurojnë që asistenca të përdoret vetëm nga ata që kanë nevojë të vërtetë.

Leave a Reply