Pezullimi i Dialogut Strategjik “është krejtësisht i bazuar në veprimet e qeverisë kujdestare të Kosovës”, deklaroi një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit në një përgjigje me shkrim për gazetën Nacionale.
“Çdo sugjerim që kjo ka lidhje me Serbinë apo faktorë të jashtëm është i pasaktë dhe një përpjekje për të shmangur çështjen thelbësore në fjalë”, theksoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Këto shqetësime i janë përcjellë Albin Kurtit, shtoi zëdhënësi – dhe, për më tepër, “ia kemi bërë plotësisht të qartë pozicionin e ShBA-së”.
“Vendimi për të pezulluar dialogun strategjik është tërësisht i bazuar në veprimet e qeverisë kujdestare të Kosovës. Çdo sugjerim se kjo ka lidhje me Serbinë ose aktorë të tjerë të jashtëm është i pasaktë dhe një përpjekje për të shmangur çështjet thelbësore të përfshira. Ne ia kemi shprehur shqetësimet tona drejtpërdrejt Kryeministrit dhe e kemi bërë qëndrimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara plotësisht të qartë. Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë një mik i ngushtë i popullit të Kosovës dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj partneritetit tonë. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara i nxisin partnerët tanë të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar stabilitet dhe siguri”, theksoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit për Nacionale.
“Ne duam të bashkëpunojmë me qeverinë kujdestare, por na duhet një partner që e kupton nevojën për të shmangur veprimet destabilizuese dhe është i përkushtuar për të çuar përpara stabilitetin rajonal dhe për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne do të vazhdojmë të bëjmë vlerësimet për veprimet e qeverisë kujdestare. Nuk kemi asgjë tjetër për të njoftuar në këtë pikë”, shtoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Leave a Reply