Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albena Reshitaj, ka shprehur se partia e saj ka bërë përpjekje për të bashkëpunuar me partitë e tjera, mirëpo ka hasur në refuzim nga ish-opozita.
Ajo theksoi se ky refuzim vjen si pasojë e mosmësimit të tyre me standardet e reja të vendosura nga LVV, duke nënvizuar se në të kaluarën ishin mësuar me pazare politike për formimin e qeverisë. Reshitaj shpjegoi se partitë opozitare ndihen të pasigurta dhe të papërgatitura për këtë qasje të re politike, pasi nuk janë mësuar me një standard të tillë.
Ajo vuri në dukje se ata presin të marrin përgjegjësi me vetëm tre deputetë, çka nuk është e drejtë sipas saj. Lidhur me votimin e qeverisë së propozuar, me Glauk Konjufcën si kryeministër, ajo tha se gjithçka varet nga qëndrimi i partive opozitare.
Reshitaj gjithashtu theksoi se momenti aktual nuk është i përshtatshëm për zgjedhje të reja, por nënvizoi se LVV nuk ka frikë nga zgjedhjet, duke besuar se do të dalin fitues sërish.

Leave a Reply