Diaspora shqiptare: 24 mijë aplikime për votim me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se nga 26 nëntori deri më 30 nëntor, ka pranuar 24,500 aplikime për regjistrim si votues jashtë vendit.

Nga këto, 14,600 janë aprovuar, 3,500 janë refuzuar, ndërsa 6,400 janë ende në proces vlerësimi. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, shumica e aplikuesve të pranuar kanë zgjedhur të votojnë përmes postës.

Konkretisht, mbi 10,500 votues do të dërgojnë fletëvotimin e tyre në adresat postare jashtë Kosovës, ndërsa më shumë se 500 të tjerë do t’i dërgojnë në adresën e KQZ-së në Kosovë. Ndërkohë, mbi 3,500 qytetarë kanë vendosur të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike.

Elezi theksoi se procesi i regjistrimit është i hapur dhe aplikuesit e refuzuar mund të riaplikojnë duke përmbushur kërkesat e nevojshme. Ai gjithashtu përmendi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa, i cili ka kufizuar votimin vetëm në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke lënë hapësirë për ankesë në Gjykatën Supreme.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *