Në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, zyrtarët doganorë kanë zbuluar dy raste të veçanta të përpjekjeve për të kaluar mallra pa i deklaruar.
Gjatë kontrolleve të fundit, janë ndaluar dy automjete, drejtuesit e të cilëve pretendonin se nuk kishin mallra për të deklaruar. Gjatë kontrollit të detajuar, u konstatua se në të dy automjetet ndodheshin mallra të padeklaruara me vlerë rreth 8,000 euro.
Dogana e Kosovës raportoi se mallrat përfshinin veshmbathje, produkte kozmetike dhe farmaceutike, vegla elektrike, pajisje elektronike dhe aksesorë për automjete, si dhe artikuj të tjerë të ndryshëm. Në të dy rastet, mallrat u ndaluan përkohësisht dhe ndaj shoferëve u nisën procedurat për kundërvajtje doganore, në përputhje me nenin 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës.
Dogana e Kosovës thekson se do të vazhdojë përpjekjet për të luftuar kontrabandën dhe tregtinë e paligjshme, duke kujtuar qytetarët dhe udhëtarët për detyrimin ligjor të deklarimit të mallrave në kufi.

Leave a Reply