Dogana e Kosovës ka raportuar një kapje të madhe droge në një autobus pa pasagjerë, i cili ishte ndalur në hyrje të Prizrenit, në Vërmicë.
Ky autobus po udhëtonte nga Shqipëria drejt Kosovës dhe u shoqërua për kontroll të detajuar në objektet e Doganës në Prishtinë. Gjatë kontrollit, njësitë Antikontrabandë, duke përdorur qen nuhatës të dhuruar nga organizata gjermane GIZ dhe pajisje të specializuara nga programet e Qeverisë së SHBA-së, zbuluan rreth 120 kilogramë kanabis.
Ky operacion përbën një sukses të rëndësishëm në luftën kundër trafikut të drogës dhe vjen në vazhdën e një rasti tjetër të ngjashëm të zbuluar kohët e fundit. Rasti është dorëzuar tek njësitë Antidrogë të Policisë së Kosovës për procedura të mëtejshme ligjore.
Doganat e Kosovës theksojnë përkushtimin e tyre për të luftuar kontrabandën dhe krimin e organizuar, duke thelluar bashkëpunimin me partnerët lokalë dhe ndërkombëtarë për të mbrojtur shoqërinë dhe sundimin e ligjit.

Leave a Reply