Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj I.K., i cili akuzohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ngjarja ka ndodhur më 16 korrik 2025 në Pikën Kufitare të Vërmicës. I akuzuari, në rolin e zyrtarit të Doganës së Kosovës, dyshohet se ka tejkaluar kompetencat duke anashkaluar procedurat standarde për kontrollin e automjeteve.
Sipas njoftimit zyrtar, I.K. ka lejuar kalimin pa kontroll të një automjeti komercial të tipit “Mercedes Sprinter”, i cili është regjistruar në sistem si i zbrazët.
Ky automjet, që drejtohej nga A.K., u ndalua më pas nga njësia për antikontrabandë dhe u zbulua se ishte i ngarkuar me mallra me vlerë 11,457.60 euro. Kjo ka shkaktuar një dëm financiar prej 3,414.36 euro në buxhetin e Republikës së Kosovës.
Prokurori ka propozuar që gjykata, pas shqyrtimit të provave, ta shpallë fajtor të pandehurin dhe të vendosë ndalimin e tij për ushtrimin e funksioneve publike.

Leave a Reply