Në Gjykatën Speciale të Hagës, sot do të dorëzohen dokumentet përfundimtare në lidhje me çështjen ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prokuroria, avokati i viktimave dhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do të dorëzojnë dosjet e tyre te trupa gjykuese. Pas dorëzimit të këtyre dosjeve, fjala përfundimtare do të mbahet mes datave 9 dhe 18 shkurt, duke shënuar mbylljen zyrtare të procesit gjyqësor.
Pas përfundimit të fjalës finale, gjykatësit do të kenë tre muaj për të shpallur vendimin e shkallës së parë, me mundësi shtyrjeje deri në dy muaj të tjerë. Nga nëntori i vitit 2020, Thaçi dhe të bashkakuzuarit e tij janë mbajtur në paraburgim, pa mundësi lirimi deri në këtë fazë të procedurës.
Prokuroria pretendon përgjegjësi individuale për vepra si rrëmbimi, keqtrajtimi dhe vrasja e qindra civilëve. Deri tani, 155 viktima janë përfshirë në proces, ndërsa 125 dëshmitarë janë thirrur nga Prokuroria gjatë periudhës prill 2023 – prill 2025.
Mbrojtja ka thirrur 7 dëshmitarë gjatë muajve shtator-nëntor 2025.

Leave a Reply