Ish-këshilltari i Wesley Clark, Michael Durkee, vijoi dëshminë e tij në Hagë, duke u fokusuar në periudhën pas luftës në Kosovë.
Ai vuri në dukje se refugjatët që po ktheheshin në Kosovë, pas dëbimit nga forcat serbe gjatë dimrit 1998-1999, gjetën pronat e tyre të shkatërruara dhe miqtë e zhdukur. Kjo, sipas tij, ngjalli tek ta ndjenja hakmarrjeje dhe zhgënjimi.
Durkee theksoi se shqiptarët që u kthyen ndiheshin të tradhtuar nga fqinjët serbë, të cilët bashkëpunuan me forcat serbe gjatë konfliktit. Ai shtoi se grupe kriminale ishin aktive shumë kohë para luftës dhe se dhuna pasluftës nuk lidhej domosdoshmërisht me konfliktin, por me këto struktura të mëparshme.
Në lidhje me UÇK-në, ai tha se kjo nuk kishte një strukturë të konsoliduar komande, por komandantët vepronin në mënyrë autonome. Për Hashim Thaçin, Durkee deklaroi se ai nuk kishte autoritet për të ndaluar dhunën atëkohë, pasi UÇK-ja po përpiqej të përmbushte premtimet e dhëna KFOR-it për demilitarizim.
Ai përmbylli duke thënë se synimi kryesor i liderëve shqiptarë ishte pavarësia e Kosovës.

Leave a Reply