Durrësi do të presë nesër Samitin e Brdo-Brijunit, me fokus në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, do të drejtojë diskutimet mbi Planin e Rritjes për rajonin. Në këtë samit do të marrin pjesë figura të rëndësishme nga rajoni, si presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidentja sllovene Natash Pirc Musar, presidenti kroat Zoran Millanoviq, presidenti malazez Jakov Millatoviq, presidentja maqedonase Gordana Siljanovska-Davkova dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Takimi do të zhvillohet nën moton “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: së bashku drejt BE-së”. Përveç integrimit evropian, do të shqyrtohet dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal.
Sipas Planit të Rritjes, Kosova pritet të marrë 880 milionë euro deri në vitin 2027, Maqedonia e Veriut mbi 750 milionë euro, Shqipëria mbi 920 milionë euro, Serbia mbi 1.5 miliard euro, Mali i Zi 380 milionë euro dhe Bosnja dhe Hercegovina rreth 900 milionë euro, pas uljes së fondeve nga Komisioni për shkak të vonesave në zbatim.

Leave a Reply