Ekipet emergjente ndërhyjnë në Junik pas shpalljes së emergjencës

Pas përmbytjeve të fundit në komunën e Junikut, autoritetet lokale kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Ekipet emergjente janë duke punuar pa pushim për të zhbllokuar rrugët kryesore, veçanërisht ato që lidhin Junikun me fshatrat Gjocaj dhe Jasiq, si dhe me bjeshkët e Gjeravicës. Zonat më të prekura janë rrugët në Bjeshkët e Junikut, ku rrëshqitjet e dheut kanë bllokuar plotësisht disa segmente.

Në fshatin Jasiq, rruga është e pakalueshme për shkak të rrëshqitjeve masive të dheut. Sipas Demokrat Ganijajt, shef i Shtabit Emergjent të Junikut, nuk ka dëme në pronat familjare, por infrastruktura dhe kulturat bujqësore janë prekur rëndë.

Kompanitë e angazhuara janë duke punuar për të riparuar dëmet dhe për të rikthyer kalueshmërinë e rrugëve. Ndërkohë, edhe në komunën e Gjakovës, shumë rrugë mbeten të bllokuara, duke krijuar vështirësi në lëvizje.

Sylë Rexhaj nga Dobroshi shprehet se mungesa e masave preventive ka rënduar situatën, me autobusët që kanë ndërprerë qarkullimin. Ekipet emergjente janë të angazhuara 24 orë për të menaxhuar situatën dhe kanë evakuuar familjet e prekura.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *