Eksperti i IKD Jakaj: Basha Deklaron Pa Bazë se Kuvendi Është Konstituar

Naim Jakaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), deklaroi se kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, konstatoi në mënyrë arbitrare konstituimin e Kuvendit.

Jakaj shpjegoi se fillimisht u ndryshua mënyra e votimit nga kryesuesi i seancës konstituive, deputeti më i vjetër Avni Dehari, dhe më pas Basha arbitrarisht konstatoi Kuvendin si të konstituar.

Hulumtuesi sqaroi se edhe kryesuesi Dehari veproi në mënyrë arbitrare, pasi Gjykata Kushtetuese duhej të ndërhynte për zbatimin e saktë të Kushtetutës dhe praktikave parlamentare, duke kërkuar që votimi të jetë i hapur.

“Kur votimi u realizua në mënyrë të hapur, u krijua mundësia për të zgjedhur një kryetar të Kuvendit. Me ardhjen e kryetarit nga Lëvizja Vetëvendosje, sërish, në mënyrë arbitrare, ndodhi ndërrimi i votimit për nënkryetarin nga komunitetet dhe përmbyllja e seancës duke konstatuar se Kuvendi është konstituuar dhe se mund të ndërmerren veprime të tjera, sipas rregullores”, u shpreh Jakaj.

Në lidhje me këtë situatë, Jakaj theksoi se fatmirësisht Gjykata Kushtetuese vendosi që të mos fillonin procedurat për formimin e Qeverisë.

Ai shtoi se edhe si IKD kishin theksuar që Presidentja Vjosa Osmani nuk duhet të niste procedurat për formimin e qeverisë. /BetimipërDrejtësi


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *