Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të martën se vlerëson “përpjekjet dhe udhëheqjen” e Donald Trump për t’i dhënë fund konfliktit në Rripin e Gazës, pasi presidenti amerikan arriti të fitojë mbështetjen e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, për propozimin amerikan të paqes.
Pas diskutimeve midis Trump dhe Netanyahu në Uashington të hënën, Shtëpia e Bardhë publikoi një plan me 20 pika për Gazën.
Plani parashikon një armëpushim të menjëhershëm, shkëmbim të pengjeve të mbajtura nga Hamasi me të burgosur palestinezë të mbajtur nga Izraeli, tërheqjen e Izraelit nga Gaza në faza, çarmatimin e Hamasit dhe krijimin e një qeverie të përkohshme të udhëhequr nga një trup ndërkombëtar.
Nuk është e qartë nëse Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – do të pranojë këtë marrëveshje.
“Unë përshëndes përpjekjet dhe udhëheqjen e presidentit amerikan Donald Trump, që synojnë ndalimin e gjakderdhjes në Gazë dhe arritjen e një armëpushimi,” deklaroi Erdogan, i cili javën e kaluar u takua me Trump në Shtëpinë e Bardhë për herë të parë pas gjashtë vjetësh.
Turqia do të vazhdojë të kontribuojë në këtë proces “me qëllimin për të vendosur paqe të drejtë, të qëndrueshme dhe të pranueshme për të gjitha palët,” shkroi Erdogan në X.
Turqia ka qenë një nga kritikët më të zëshëm të luftës dyvjeçare të Izraelit në Gazë, të cilën e quan “gjenocid”.
Ajo ka pezulluar të gjithë tregtinë me Izraelin, ka kërkuar veprime ndërkombëtare kundër Netanyahut dhe qeverisë së tij, dhe ka bërë thirrje të përsëritura për një zgjidhje me dy shtete.
Gjatë pothuajse dy vjetëve luftë në Gazë, ofensiva izraelite ka vrarë mbi 65.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë, ka shkaktuar uri ekstreme, ka shkatërruar pjesën më të madhe të ndërtesave dhe ka zhvendosur pjesën më të madhe të popullsisë, në shumë raste disa herë.
Lufta filloi pas një sulmi të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit, ku militantët vranë rreth 1.200 njerëz dhe rrëmbyen 251 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.

Leave a Reply