Në rajonin e Rahovecit janë zbuluar mbetje mortore, të cilat dyshohet se i përkasin viktimave të luftës.
Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore ka konfirmuar se këto mbetje janë dërguar për verifikim, duke shtuar se lidhen me ngjarjet e vitit 1998. Haliti ka theksuar se ky vend është eksploruar më parë nga Tribunali i Hagës dhe ekipet e UNMIK-ut, por analiza e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe institucioneve vendore ka sugjeruar që deri në tetë persona mund të jenë ende të varrosur aty.
Gjatë këtij viti janë zbuluar gjithsej mbetjet mortore të 22 personave. Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka shpjeguar se në verën e vitit 1998, forcat serbe kishin varrosur trupat e mbi 40 viktimave për të fshehur krimet.
Sipas tij, gërmimet e mëparshme në vite të ndryshme nuk kanë arritur të nxjerrin të gjitha mbetjet, duke lënë hapësirë për shtatë ose tetë persona të tjerë që mund të gjenden aty.

Leave a Reply