Faturimi i ujit do të nisë në komunat veriore të Kosovës

Pas më shumë se 25 vitesh, banorët e veriut të vendit do të fillojnë të marrin faturat mujore për shpenzimet e ujit.

Ky projekt, i cili pritet të nisë në mars ose prill, përballet me sfida të tilla si mungesa e adresave dhe probleme të tjera komunale në zonë. Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” është në proces të rekrutimit të stafit të ri për të përparuar me këtë projekt.

Bashkim Kurti, kryeshefi i kompanisë, deklaroi se menaxherët e njësive tashmë kanë filluar punën në tri njësi operative në veri, si dhe në impiantin në Zubin Potok. Autoritetet njoftuan se faturimi nuk do të zbatohet retroaktivisht, pasi është e nevojshme të evidentohen konsumatorët dhe të instalohen matësit e ujit.

Një pjesë e banorëve të veriut shprehen të gatshëm të paguajnë për ujin, me kusht që furnizimi të jetë i rregullt. Ndërkohë, kompania ka nënshkruar një kontratë të parë për faturim me Komunën e Mitrovicës së Veriut, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt ofrimit të plotë të shërbimit.

Kontrata të tjera do të nënshkruhen me institucione publike dhe qytetarët për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm dhe ligjor me ujë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *