Faturimi i ujit fillon në komunat veriore të Kosovës pas 20 vitesh

Qytetarët e veriut të Kosovës pritet të fillojnë të paguajnë faturat mujore për shpenzimin e ujit, një proces që do të nisë në mars ose prill të këtij viti.

Ky zhvillim vjen pas më shumë se 25 vitesh pa faturim në këtë zonë. Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” është duke përgatitur terrenin, duke rekrutuar staf të ri për të mbështetur këtë iniciativë.

Drejtuesit e kompanisë kanë njoftuar se faturimi nuk do të ketë efekt prapaveprues, pasi fillimisht duhet të bëhet regjistrimi i konsumatorëve dhe instalimi i matësve të ujit. Ndërkohë, disa banorë të veriut e kanë pritur këtë proces me gatishmëri, duke theksuar se janë të gatshëm të paguajnë për sa kohë furnizimi me ujë është i rregullt.

Në një hap simbolik, kompania ka nënshkruar kontratën e parë për faturim me Komunën e Mitrovicës së Veriut, duke hapur rrugën për marrëveshje të ngjashme me institucione të tjera publike dhe individë. Ky bashkëpunim institucional konsiderohet si çelësi për një furnizim të qëndrueshëm dhe ligjor me ujë në veri.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *