Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) dhe Unioni i Federatave Evropiane të Futbollit (UEFA) kanë miratuar zyrtarisht ndryshimet statutore të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), duke theksuar përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare dhe ligjet vendore.
Në një komunikim adresohet presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ku vlerësohet se këto amendamente janë prodhuar nga një proces gjithëpërfshirës bashkëpunimi mes FIFA-s, UEFA-s, FFK-së dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Ndërkohë, është konfirmuar se përfaqësues nga FIFA dhe UEFA kanë marrë pjesë në të gjitha sesionet ku janë miratuar këto ndryshime, për të siguruar respektimin e standardeve të qeverisjes.
Gjithashtu, këto organizata theksojnë rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë institucionale dhe shmangien e ndërhyrjeve të panevojshme nga palë të treta në proceset zgjedhore të FFK-së. Më tej, FIFA dhe UEFA kanë siguruar pjesëmarrjen e tyre në Kuvendin Zgjedhor të planifikuar më 5 shkurt 2026, për të mbikëqyrur zhvillimin e procesit sipas statutit të FFK-së.

Leave a Reply