Në Mitrovicën e Veriut u vendos sot gurthemeli për ndërtimin e një objekti të ri të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Ky projekt synon të sjellë shërbime më të afërta për qytetarët dhe bizneset, duke stimuluar zhvillimin ekonomik të zonës. Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, theksoi se ky objekt do të ofrojë shërbime të rëndësishme për tatimpaguesit dhe do të rigjallërojë zonën.
Ai njoftoi se projekti, me një investim prej 500 mijë eurosh, pritet të përfundojë brenda pesë muajve. Ndërkohë, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e cilësoi këtë nismë si një shenjë të angazhimit të qeverisë për të investuar në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë veriun.
Drejtori i ATK-së, Mentor Hyseni, theksoi rëndësinë e këtij zgjerimi, duke përmendur se shërbimet tatimore duhet të jenë të arritshme kudo në Kosovë. Ai vuri në dukje se ky objekt do të lehtësojë ofrimin e shërbimeve për tatimpaguesit, veçanërisht në kontekstin e procesit të fiskalizimit të bizneseve.

Leave a Reply