Fillon vendosja e filtrave në TC “Kosova B”, mbështetur nga BE

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se kanë nisur punimet për instalimin e filtrave të rinj në Termocentralin “Kosova B”, pasi janë plotësuar të gjitha kërkesat teknike dhe ligjore.

Ky hap shënon një avancim të rëndësishëm në modernizimin e sektorit të energjisë dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë. Gjatë vitit 2023, është realizuar dilatimi i bojlerëve, ndërsa këtë vit KEK ka përfunduar modernizimin e turbinës në njësinë B1.

Projekti i filtrave, i financuar nga Bashkimi Evropian me rreth 90 milionë euro, synon të ulë ndjeshëm ndotjen e ajrit. Ministrja vuri në dukje se implementimi i këtyre filtrave do të ulë emetimet e pluhurit dhe oksideve të azotit në përputhje me standardet evropiane, duke përmirësuar cilësinë e ajrit në komunat Obiliq, Fushë Kosovë, Prishtinë dhe më gjerë.

Ajo falënderoi BE-në për mbështetjen dhe punonjësit e KEK-ut për angazhimin e tyre të vazhdueshëm. Ky projekt pritet të sigurojë një furnizim më të pastër dhe të qëndrueshëm me energji për qytetarët.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *