Fondet prej 50 mijë euro për ndërtimin e hapësirës së pritjes

Qeveria e Kosovës ka ndarë 50 mijë euro për familjen e rreshterit Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë një sulmi terrorist nga një grup i armatosur serb në Banjskë në vitin 2023.

Këto fonde do të shfrytëzohen për ndërtimin e një hapësire pritjeje, si homazh për kontributin dhe sakrificën e tij. Ky vendim u mor gjatë mbledhjes së fundit të ekzekutivit.

Rreshteri Bunjaku humbi jetën më 24 shtator 2023, gjatë një prite të organizuar ndaj policisë së Kosovës në veri të vendit, ku sulmuesit udhëhiqeshin nga Millan Radoiçiq. Pas vrasjes, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shpalli Bunjakun “Hero i Kosovës”.

Përveç kësaj, qeveria ka ndarë fonde për projekte të tjera, përfshirë 304,511.16 euro për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe për ndërkombëtarizimin e çështjes së Luginës së Preshevës. Gjithashtu, janë ndarë 200 mijë euro për renovimin e një objekti në Mitrovicën e Veriut që do të përdoret nga Administrata Tatimore e Kosovës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *